Kryeveprat lindin edhe kështu

Ndriçim Kulla

Stendali, në librin e tij të famshëm “Dashuria” thotë: “Në minierat e kripës së Salzburgut”, në thellësitë e braktisura, është zakon të hidhet një degë e zhveshur nga ngrica. Dy tre muaj më pas ajo do të gjendet e mbuluar me kristale të shkëlqyera: degëzat më të holla, ato që nuk janë më të mëdha se kthetrat e vogla të një trishtili, janë të mbushura me një pafundësi diamantesh të lëvizshme dhe vezulluese; dhe duke e parëështë e pamundur ta njohësh degën e vjetër.(Stendal: “Dashuria”, Shtëpia botuese “Uegen”, Tiranë 2002, f. 16)
Minatorët e minierave të kripës e bënin këtë ritual sepse ata donin të krijonin diçka të bukur në atë shkretëtirë kripe ku kalonin jetën e tyre.
Ashtu si këta minatorë, Jakov Xoxa mori në dorë një bimë kripthi (“lloj bime e njelmët që mbin në tokat e kripura të bregdetit” është shpjegimi për të në roman) dhe bëri mbi të atë punë që bën natyra mbi degën për të cilën flet Stendali. Rezultati ishte romani “Lulet e kripës”. Nuk ka asgjë sadopak të ngjashme me këtë në letërsinë shqipe, madje guxoj të them pa frikë edhe në atë botërore. Edhe në romanet më të mira realiste për kriporet në letërsinëbotërore, shkrimtarët, pasi përshkruajnë gjatë procesin e punës atje, largohen me dëshira nga toka e njelmët për në tokën e zakonshme, ku zhvillohet pjesa tjetër e jetës së personazheve të tyre. Jakov Xoxa nuk sillet si ata. Ai ngulet me dëshirë në tokat e njelmëta të Kripishtës, siç quhet fshati pranë kripores, qëmë vonë autori na thotë se u quajt Naforë, gjë që me sa duket u bë që të kapërcehej mallkimi i vjetër “Kripë nxirrni, kripë mbetshi”. Autorie sodit dhee përshkruan natyrën dhe jetën e njerëzve tëKripishtës-Naforë, e nuk shqitetprej fshatit e kripores, veçse kur ecuria e ngjarjeve në roman e bën këtë gjë mëse te domosdoshme. Dhe këtë vështrim e përshkrim shkrimtari e bën me aq thellësi e imtësi, saqë ka rrezikuar që ta akuzonin për natyralizëm, e pakta, një “izëm” që dënohej në atë kohë si një aspekt i letërsisë dekadente borgjeze.
Por Jakov Xoxën mund ta kishin akuzuar edhe për shumë “izma” të tjera në këtë roman, dhe në fakt e kanë kritikuar për to, sepse romani nuk u arrit që të botohet sa kohë që autori ishte gjallë. Siç dihet romani u botua një vit pas vdekjes së tij (vëllimi i parë), dhe dy vjet më pas edhe vëllimi i dytë), por i shkurtuar. Shumë faqe të mrekullueshme të romanit u bënë viktima të gërshërës së pamëshirshme të censurës së kohës. Ne që e kemi lexuar dhe shijuar atë roman kur u botua në fillim, dëgjonim si nën zë legjendën se “lules” i ishin shqyer shumë “petale”. Botimi i plotëi romanit më vonë përbënte një peng të shlyer për çdo lexues të tij të asaj kohe.
Ashtu si Stendali i cili në paragrafin e mësipërm shkruan për gjëra qëi kishte parë me sytë e tij gjatë udhëtimeve në Europë me ushtrinë e Napoleonit, për përvoja jetësore të ngritura në art, edhe Jakovi shkruan për përvoja jetësore. Në vendin që përshkruan ai ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë në rini, te të afërmit e tij. Romani i Xoxës nis me legjendat për vendin që ai i ka dëgjuar atje. Që nga legjenda e njerëzve të kripëzuar, të imunizuar nga pasojat e ngrënies së tepërt të kripës. Këtu të gjithë mjekët e botës do të protestojnë duke thënë se ngrënia pa kufi e kripës është vdekjeprurëse, sjell tensionin e lartë etj. Ashtu është, shumë prej kirpishtiotëve duhet të kenë vdekur nga tensioni i lartë në breza, por më pas erdhi përshtatja, siç e dimë nga biologjia, dhe këtu doli një“racë” njerëzish me imunitet ndaj konsumit të kripës. Autori nuk e nis rastësisht romanin me përshkrimin e kësaj “race”, që kur e bën duket si realizëm magjik:
“Dhe u mësuan ta hanin kripën me grusht, që t’ ua bënte ujin të shijshëm, të ngopnin mullën dhe të gënjenin urinë. Në atë kohë doli ajo fjala që thotë se argatët nafariotë hanë bukë që të pinë ujë. Nuk shkoi shumë dhe banorët e Kripishtës erdhën e t’ u bënë si putarga të pjekura në diell e të thara në kripë. Gratë filluan të shterpëzohen në këtë trualll të përvëluar nga pahu shëllirëi tokës e nga vesa e kripur e qiellit dhe e detit. Në atë kohë, thotë legjenda, lindi riti i netëve të vjeshtës, kur fillojnë rreshjet e para dhe nuset nafariote lahen nën shi, duke ngritur fundin e tyre të gjatë e të rëndë, që ujët e ëmbël të qiellit t’ u shpëlajë kripën e hidhur të tokës e t’ u kthejë pjellorinë. Dhe hëna ato netë, ulet mbi tokë, kridhet në gjol e gjoli llamburin… Kështu, thotë legjenda, Kripishtja nuk u shua, por u shtua; ujët e ëmbël u përlesh me ujët e kripur dhe lau shëllirën, pjelloria e mundi shterpësinë dhe mbi ishullin e cekët e rrafsh me gjolin, ku mbinte vetëm kripthi i njelmët dhe lulëzonte veçse lulefshesa e imtë, u lartua këmbanorja e kishës së Shënedielës.”(Jakov Xoxa: “Lulja e Kripës”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 2016, f. 10)
Tabloja e mësipërme i ngjan një filmi fantastiko-shkencor ku tregohet për një planet tjetër, një planet të kripur me banorë organizmi i të cilëve ështëi bazuar te kripa dhe konsumi i saj, si ushqimi bazë. Në letërsi, këta njerëz të kripës që kryejnë rituale magjike me shiun, do të ishin fare mirë personazhe të një romani të realizmit magjik, një herezi e vërtetë për parimet e realizmit socialist në letërsi. Por mbi të gjitha, këmbanorja në mes të tokës së kripur të fshatit me njerëz besimtarë që mbijetojnë në këtë shkretëtirë të kripëzuar, ngjan me ato skenat biblike pranë Detit të Vdekur. Vetëm një besim i madh te Zoti bën që këta njerëz të ngulen në atë tokë, të mos e braktisin, dhe të përpiqen të ndërtojnë jetën atje pavarësisht vuajtjeve. Xoxa e kupton se me këtë tablo ka bërë një herezi të madhe ideologjike, dhe sipas zakonit të tij shpejton që ta shlyejë fajin duke treguar një barcaletë për priftin. Është një mënyrë që ai e përdor shpesh në librat e tij për të justifikuar faqet dostojevskiane fetare të një shkrimtari qëka qenëjo vetëm një besimtar i thellëi krishterë ortodoks por edhe njohës i fesë deri afër teologut.
Për shkrimtarët tanë të mëdhenj është bërë zakon që të quhen patriarkë, një emërtim ky që e ka origjinën nga patriarkët biblikë. Në këtë kuadër, kujt i shkon më shumë titulli “patriark” se atij shkrimtari të madh të letërsisë shqipe, që mban një emër patriarku biblik, pra Jakov Xoxës. Madje Jakov Xoxa ishte një shkrimtar i lindur dhe i formuar në një tokë biblike, që ishte vendlindja e tij Myzeqeja. Vendi i zhvillimit të ngjarjeve të romaneve dhe tregimeve të Xoxës është Myzeqeja. Madje edhe vendi ku zhvillohen ngjarjet e romanit “Lulet e kripës” është në bregdetin e Myzeqesë, në Myzeqenë e Vogël, në një anë të Vjosës.
Të përshkruaje Myzeqenë si shkrimtar ishte një sfidë e ngjashme me atë të shkruesve të Biblës. Myzeqeja, si Myzeqeja e Madhe e romanit “Lumi i Vdekur”, ashtu dhe Myzeqeja e Vogël e romanit “Lulja e Kripës”, ngjanin, e para me botën e përmbytur të Noes, ndërsa e dyta me tokat e kripura në breg të Detit të Vdekur. Këto tablo biblike kanë lënë gjurmë në të gjithë veprën e tij letrare. Edhe njerëzit e Myzeqesë në romanet e Xoxës përshkruhen si njerëz biblikë. Ka shumë motive biblike në jetën e njerëzve të romaneve të tij, jo sepse Xoxa imiton Biblën, por sepse të tillë ua bënte jetën njerëzve të saj ajo tokë biblike që ishte Myzeqeja.
Lumi i Vdekur ishte për ata njerëz baras me legjendën e përmbytjes së botës, por që atyre u rrinte gjithmonë si rrezik aty pranë. Nafora, me tokën e saj të kripur është një tjetër peisazh biblik i brigjeve të Detit të Vdekur. Në këtë tokë biblike këta njerëz, myzeqarët e brigjeve të Lumit të Vdekur dhe të Naforës qenë të destinuar të jetonin edhe eksode biblike, edhe rikthime, edhe vuajtje biblike. Jeta në këtë tokë e kishte bërë myzeqarin një njeri me durimin e njeriut biblik, me spiritualizmin e njeriut biblik. Dhe Jakov Xoxa ishte prototipi i njeriut biblik myzeqar.
“Lulet e kripës” ështëi vetmi roman iJakovit ngjarjet e të cilit zhvillohen në kohën e Luftës së Dytë Botërore, pra është një roman i luftës. Në realitet, Jakov Xoxa ështëi vetmi nga shkrimtarët partizanë që nuk bëri një libër vetëm për luftën partizane, siç bënin shumë të tjerë që në këtë rast bënin personazh veten me emër të ndryshuar. Këtë nuk e bëri jo thjesht për modesti, por sepse e ndaloi ai njeriu biblik brenda tij. Jakovi ishte një njeri shumë mistik, kjo gjë kuptohet nga e gjithë vepra e tij.
Në Bibël Jakovi është i treti hebre me të cilin Zoti bëri një marrëveshje, duke e quajtur “Izrael”. Zoti kishte bërë një marrëveshje për Myzeqenë edhe me Jakov Xoxën. Megjithëse ky mund të mos e ketë kuptuar që në fillim. Jakov Xoxa në rini, ashtu siç ishte prirja e kohës, u lidh me idealet e majta që nga ana filozofike kishin një bosht ateist, por ai nuk u bë një shkrimtar ateist, përtej cipës së detyrueshme të ideologjisë zyrtare që duhet të kishin librat e tij. Te Jakovi luftuan dy njerëz, njeriu me bindje komuniste dhe njeriu biblik myzeqar. Jakovi në rininë e tij kishte besuar sinqerisht te ideali i majtë komunist, edhe për arsye se në atë kohë komunizmi shihej si i identifikuar me antifashizmin. Jakov Xoxa do të ishte një luftëtar antifashist me armë në dorë në Luftën e Dytë Botërore.
Përshkrimet e tij kanë misticizëm të thellë, të cilin ai përpiqet ta maskojë, me mënyra të ndryshme, duke krijuar personazhe që e venë në lojë tablonë mistike të përshkruar, por këto të gjitha janë truke për të gabuar censurën. Jakovi, në këto përshkrime, asnjëherë nuk harron që t’ i përmendë Zotin dhe shenjtorët, qoftë me gojën e disa plakave dhe pleqve, të cilëve për vetëmbrojtje u kundërve dikë që i ve në lojë, por ky i fundit është shumë i zbehtë dhe skematik si personazh, i pafuqishëm për të bindur lexuesin në krahasim me të parët. Xoxa është i vetmi shkrimtar në romanet e të cilit ka predikime të gjata të priftërinjve, ku lexuesit gjoja i krijohet përshtypja se qëllimi është të vihet në lojë feja sipas ideologjisë zyrtare, por në fund lexuesi mbetet me përshtypjen se ka marrë pjesë në një meshë të së dielës dhe në predikimin e saj. Ndonëse me bindje ortodoks, Jakovi nga vetë natyra e Myzeqesë ka prirjen të bëhet evangjelik.
Me “Lulet e kripës” Jakovi arriti një kulm të veprës së tij, me të cilin meriton që të quhet edhe si romantiku mëi madh nga shkrimtarët shqiptarë të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe në këtë roman ka tablo shumë romantike të natyrës dhe dashurisë së të rinjve. Jakovi, në veprat e tij, edhe kur ia nis duke përshkruar natyrën e transformuar nga regjimi komunist në kooperativat bujqësore, siç ishte detyrimi për shkrimtarët e kohës, rrëshqet në përshkrimin e natyrës ideologjikisht neutrale, nëse mund ta quajmë kështu, të natyrës myzeqare.
Umberto Eco te “Emri i trëndafilit” thotë se librat komunikojnë mes tyre. Unë do të shtoja edhe shkrimtarët, pavarësisht nëse janë njohur me njëri-tjetrin, apo kanë jetuar në të njëjtën kohë. Kështu Xoxa komunikonte me Stendalin. Jo në kuptimin që shkrimtari ynë të nxitej të shkruante për Naforën, pasi të kishte lexuar librin e Stendalit për dashurinë. Por në kuptimin që përvojat jetësore të jashtëzakonshme duhen përshkruar, sic bëri Stendali me një minierë austriake kripe dhe Xoxa me tokën e kripës. Kryeveprat lindin edhe kështu.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Lulja në Kripishtën e realizmit socialist: romani “Lulet e kripës” Lulja në Kripishtën e realizmit socialist: romani “Lulet e kripës” Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!