Email

Arti shqiptar këtë herë prek Strasburgun në një përzgjedhje të veçantë të veprave të ndryshme të artistëve shkodranë frymëzuar nga gojëdhënat dhe qyteti i Shkodrës, në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 3 shkurt 2017.

Bëhet fjalë për ekspozitën “Legjenda e një kështjelle”, e cila përmban vepra nga artistë të njohur e emra të rinj me origjinë nga Shkodra, si Kol Idromeno, Danish Jukniu, Sytki Brahimaj, Edi Hila, Artan Dracini, Merita Selimi, Gjon Jon Kraja, Sidi Kanani, Eros Dibra e Pjerin Kolnikaj.

Punimet e kësaj ekspozite janë pjesë e koleksionit privat të GALERIA KALO, e cila në njoftimin e saj shkruan se tashmë ‘legjendat janë reale” e se do të qëndrojnë për një muaj në sallat e ekspozimit të Këshillit të Europës.

Ekspozita “Legjenda e një kështjellë” tregon ndikimin e historisë së qytetit dhe legjendës së kështjellës, e ndërtuar në sajë të sakrificës së gruas e nënës së re Rozafës- në formimin e artistëve që e kanë bërë këtë qytet të ketë një rol udhëheqës në mbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës, artit dhe sportit në të gjithë Shqipërinë.

Përzgjedhja e veprave unike nën titullin “Legjenda e një kështjelle” është frymëzuar nga ideja se artistët që e kanë origjinën nga qytete e kështjella të rrethuara me mister dhe legjendë, e reflektojnë frymën e legjendave edhe në artin e tyre.

Shkodra ka një numër të madh heronjsh që janë në qendër të legjendave dhe historive, si Gjergj Elez Alia, Muji e Halili, Kostandini etj.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . “Legjenda e një kështjelle”, veprat unike të artistëve shkodran ekspozohen në Strasburg “Legjenda e një kështjelle”, veprat unike të artistëve shkodran ekspozohen në Strasburg Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!