Një udhëtim në rolet e tij kinematografike në 94 vjetorin e lindjes

I veshur me rrobat e Ezopit, Kadri Roshi, vjen shpesh në kujtesën e secilit prej nesh si simboli i urtësisë, njeriu që kërkonte të predikonte gjuhën e dashurisë,në një këtë njerëzim gjithnjë e më shumë drejt dëshpërimit. Sot më 4 janar mbushen 94 vjet nga lindja e një prej personazheve më të njohur të kinemasë e teatrit shqiptar, Kadri Roshi. Ne po e kujtojmë duke bërë një udhëtim në rolet e tij në kinema, ku njihet më së shumti nga publiku, dhe pse teatri ishte dashuria e tij më e madhe, një dashuri që e preku që 21 vjeç pas studimeve në Pragë. Vetëm 34 vjeç ai do të interpretonte në rolin e Lefter Dhosit tek filmi i parë shqiptar “Tana”. Ishte viti 1958, dhe ky film do të shënjonte rrugëtimin e kinemasë shqiptare. Filmi i bazuar në një novelë të Fatmir Gjatës, tregonte për Tanën një vajzë të zgjuar me ide të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Por kjo dashuri nuk është e lehtë, pasi ajo përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj dhe xhelozinë e Lefterit. Nën regjinë e Kristaq Dhamos në këtë film do të realizohej dhe puthja e parë në kinemanë shqiptare. Dy vjet më vonë në vitin 1970 Kadri Roshi do të interpretonte në filmin “I teti në bronx” nën regjinë e Viktor Gjikës, duke spikatur si aktor. “Malet me blerim mbuluar” do ta çojnë atë drejt rolit të Safa Hymerit. Nën regjinë e Dhimitër Anagnostit,filmi na çon në vitin 1943, për të treguar historinë e një grupi partizanësh në fund të luftës. “Kur zbardhi një ditë” do ta sjellë Kadri Roshin në rolin e kryetarit të këshillit. Filmi me regji të Pirro Milkanit është sërish me tematikë nga lufta. Xhaj Ajli do jetë një tjetër personazh që Kadri Roshi do ta interpretojë tek filmi “Tokë e përgjakur”, prodhim i vitit 1976 .Me regji të Ibrahim Mucos, ngjarjet në film zhvillohen në tre kohë të ndryshme. Ai do të jetë Nazifi tek “Përballimi” më 1976. Nën regjinë e Viktor Gjikës, filmi trajton atmosferën pas luftës. Pas përfundimit të luftës njerëzit e rinj që kanë marrë pushtetin fillojnë të përballohen me urinë. Sekretari i partisë së qytetit Martin Kreka niset nëpër fshatra dhe udhëheq fushatën për grumbullimin e drithit që shitet në tregun e zi. Ai ndihmohet nga drejtori i grumbullimit i cili ka bluar për bukë edhe drithin e farës…Në vitin 1976 ai do të interpretojë një nga rolet që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, një rol emblematik i kinematografisë shqiptare. Regjisori Dhimitër Anagnosti do ti besojë atij rolin e kujdestarit, tek “Lulëkuqe mbi mure”. Në qëndër të filmit janë përpjekjet dhe ndihma që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë në luftë kundër italianëve që pushtuan vëndin më 7 prill 1939. Po këtë vit ai do të interpretojë rolin e Marko Rovinës tek filmi “Fije që priten”. Një vit më vonë ai do të interpretojë në filmin “Zemra që nuk plaken” me regji të Esat Ibro dhe Esat Musliu. Në qëndër të filmit është historia e Xha Ademiklut i cili ka dalë në pension pas 30 vitesh punë si shofer kamioni. Më 1977 Roshi do të intepretojë tek “Shembja e idhujve”. Roli i plakut Mero tek “Njeriu me top” 1977 do të mbetet gjatë në kujtesë. Tashmë Kadri Roshi ishte një aktor me një influencë tek publiku. Duket sikur Dritëro Agolli e kishte krijuar plakun Mero duke patur parasysh imazhin e Roshit. Roli i Parandilit tek Gjeneral Gramafoni, më 1978 do të ishte një tjetër sukses në karrierën e Kadri Roshit.”Liri a vdekje” do ta sjellë atë para publikut me rolin mësues Hysenit. Në vitin 1979 do të jetë sërish në rolin e kryetarit të Këshillit tek filmi “Këshilltarët” nën regjinë e Xhezair Dafa, me skenar të Kujtim Gjonajt. Po këtë vit në filmin “Ballë për Ballë” ai do të interpretojë rolin e Belul Gjenomadhit. Nën regjinë e Kujtim Cashkut filmi është ekranizim i romanit “Dimri i madh” i Ismail Kadaresë. Roshi do të jetë xha tek filmi “Partizani i vogël Velo” dhe Jani tek “Dëshmorët e monumenteve” më 1980 nën regjinë e Fehmi Hoshafit. Dy vjet më vonë ai do të intepretojë brigadier Rakipin tek “Era e ngrohtë e thellësive” me regji të Vladimir Prifit. Roli i Demostenit tek “Apasionata” do ta bënte personazhin e Roshit të paharruar. Nën regjinë e Kristaq Mitros, filmi i 1983-shit, do të gdhendte një karakter jo të lehtë si Demosteni, të cilin regjisori jo më kot ia besoi Roshit. Tek filmi “Fejesa e Blertës” ai do të jetë Urani. Më 1985 ai do të interpretojë rolin e Groshit, tek “Dasma e shtyrë”. Më 1988 do të jetë sërish në rolin e kryetarit tek filmi “Pesha e kohës” nën regjinë e Rikard Ljarja. Në vitet 1990 ai do të interpretojë në filmin “Fletë të bardha” me regji të Mevlan Shanajt, për tu angazhuar në një sërë rolesh të tjera përgjatë këtyre viteve. Roli i tij i fundit në kinema është tek “Kolonel Bunker” më 1998 nën regjinë e Kujtim Cashkut. Por një nga rolet që do të mbetet gjatë në kujtesë është padyshim ai i Ezopit, tek “Dhelpra dhe rrushtë” më 1991 nën regjinë e Dhimitër Pecanit. Fabulat e Ezopit dhe mençuria e tij pasqyroheshin shumë mirë në interpretimin dhe karakterin e Kadri Roshit.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Kadri Roshi, nga kryetar i Këshillit, tek Kujdestari…dhe Ezopi shqiptar Kadri Roshi, nga kryetar i Këshillit, tek Kujdestari…dhe Ezopi shqiptar Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!