Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare, aktori Bujar Lako. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 8:30 si pasojë e një ataku në zemër. Përballë humbjes së kolegut dëshpërimi i aktorëve ka qenë njëkohësisht një revoltë e pashprehur, se si në këtë vend identifikohen e vlerësohen artistët

“Do ta mbajmë dhimbjen nga brenda…nuk është ky vendi, artisti nuk vlerësohet këtu”…

Kjo është nga “të pathënat” fjali, që shumë aktorë dje nuk kanë pranuar ta thonë hapur, që kanë kaluar një pjesë të mirë të jetës së tyre artistike me aktorin Bujar Lako. Një heshtje e frikshme, pothuaj një dëshpërim i plotë jo vetëm për humbjen e aktorit më në zë të Teatrit dhe Filmit, por për statusin e tyre si vlerësim dhe mbijetesë në diktaturë e vitet në tranzicion.

“Nuk e di nëse mund të quhet peng, por shpesh bënim shaka e qeshnim kur thoshim, ‘Na ra koka në një vend të varfër dhe komunist, ndryshe do ishte diku tjetër’, “ka thënë dje, për humbjen e Lakos, Rajmonda Bulku. Figura më stoike, me pak mjekër, i heshtur, pothuaj i pazë ka “fshehur” në gjithë këtë periudhë çfarë ka qenë dramatike në historinë e zhvillimit të kinemasë dhe teatrit.

Pa dyshim aktori më elegant i ekranit, krijues brilant i karaktereve të paharrueshme, timbri karakteristik lehtësisht i njohur midis qindra të tjerëve, dinjitet i admirueshëm që nuk e la kurrë të bjerë në mediokritet profesional e njerëzor.

Sfidues i të gjitha autoriteteve me të cilat iu desh të përballej në jetë – ndan kineasti Agron Domi me këtë humbje.

Në njoftimin zyrtar Teatri Kombëtar e ka konsideruar “një humbje të madhe për kinematografinë shqiptare dhe teatrin”.

Një nga miqtë, por dhe kolegët me të cilin ka bashkëpunuar dhe kaluar një kohë të gjatë njohjeje prej viteve të studimit, aktori e regjisori Mevlan Shanaj shprehet për “Mapon”: “Me Bujon jam njohur para se te vinte në Shkollën e Lartë të Aktorëve ‘Aleksandër Moisiu’, ai ka ardhur një vit me pas, pra njihem prej vitit 1965. Kemi pasur miqësi ndër vite. Ka qenë aktor në dy filma te unë si regjisor. Në filmin ‘I paharruari’, ku sigurisht kishte rolin kryesor dhe që e ka realizuar në mënyrë të përsosur, siç dinte të bënte ai në kinema, dukshëm si askush tjetër. Përsëri pas shumë vitesh erdhi për një rol karakteri në filmin ‘Lule të kuqe, lule të zeza’, dhe rezultati? Pa dyshim shkëlqyeshëm. Nuk besoj se ka film ku duket portreti i tij që të mos jetë i përkryer. Mjeshtëria e interpretimit të këtij aktori sqimatar, kishte bërë regjisorët jo vetëm të rendnin pas tij, po të ëndërronin ta kishin para kamerës. Krijimtaria e tij ishte e niveleve botërore. Një ‘lojë’ krijuese e përmbajtur depërtuese me tensione të brendshme zhbiruese dhe shumë imponuese. Shikimi i tij në kamera bënte për vete shikuesin, por njëkohësisht e drithëronte partnerin. Bujar Lako, nuk i vjen më ekranit shqiptar për nga forca depërtuese dhe e ftohtë njëherazi sa edhe asgjësuese. E kam pasur mik, partner dhe aktor. Bujo ishte aktor në gjithë qenien e tij. Kur mora lajmin u shpreha: Klithmë nga qielli nga shpirti, gjithë ajri më merr frymën, ka ikur Bujo!! Lajm i dhimbshëm therës që ne miqtë si edhe familja e kemi të papërballueshëm”.

Përvojën më të fundit të bashkëpunimit Lako e kishte me regjisorin e ri, Laert Vasili në teatër, në shfaqjen e mbështetur në skenarin e Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.

Lako ishte kryepeshkopi, një rol që Vasili tregon se e mori pasi lexoi dramatizimin.

“Bujo ishte shumë përzgjedhës, nuk pranonte të bashkëpunonte nëse nuk kishte besim, nuk bindej. Humbja e tij është e rëndë. Bujo ishte i ngopur si artist, në teatër dhe kinema. Ai kishte forcë dhe vitalitet të rrallë”, ndan Vasili jetën në fund të aktorit, që kishte ëndërruar të luante Mbretin Lir, të Shekspirit.

Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948. Është një aktor i mirënjohur shqiptar.

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës.

Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë për ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilave veçojmë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), “Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive në Shkup në produksionin “Varrtarët” . Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”.

Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni“.

Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”.

Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”.

Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar”.

Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Magic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku.

Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A.

Kujtim Çashku: “Bujar Lako si artist, kish fatin dhe fatkeqësinë që të jetonte e të krijonte në një vend të vogël Europian siç është Shqipëria. Them fatin sepse ai i dha vendit të tij më shumë se çfarë mori prej tij dhe fatkeqësi sepse talenti i tij, i një përmase botërore nuk i korrespondonte plotësisht potencialit që vendi i vogël i ofronte. Ai u nderua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro me filmin Syri Magjik, me çmimin e madh “The Best Actor” krahas aktorit të famshëm Hollivudian Morgan Freeman. Ky çmim është çmimi më i madh i marrë deri më sot nga një aktor shqiptar në një festival filmi të kategorisë A. Bujar Lako ish shembulli i një artisti stoik që bëri në jetë atë çka ai dashuroi dhe besoi se duhet të bënte”.

Mevlan Shanaj: “…Ka qenë aktor në dy filma te unë si regjisor. Në filmin ‘I paharruari’, ku sigurisht kishte rolin kryesor dhe që e ka realizuar në mënyrë të përsosur, siç dinte të bënte ai në kinema, dukshëm si askush tjetër. Përsëri pas shumë vitesh erdhi për një rol karakteri në filmin ‘Lule të kuqe, lule të zeza’, dhe rezultati? Pa dyshim shkëlqyeshëm. Nuk besoj se ka film ku duket portreti i tij që të mos jetë i përkryer. Mjeshtëria e interpretimit të këtij aktori sqimatar, kishte bërë regjisorët jo vetëm të rendnin pas tij, po të ëndërronin ta kishin para kamerës…”

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . “Ikën një stoik, një zë dëshpërues për teatrin e kinemanë” “Ikën një stoik, një zë dëshpërues për teatrin e kinemanë” Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!